Sermons  Pulpit Series Newsletters   Të jetosh në vullnetin e përsosur të Perëndisë by David Wilkerson

Të jetosh në vullnetin e përsosur të Perëndisë

by David Wilkerson | March 23, 2009

    PDF     TXT   Print  Print

March 23, 2009

Ne si të krishterë mundohemi shumë të gjejmë dhe kuptojmë vullnetin e Perëndisë për jetët tona, dhe pasi besojmë se e kemi gjetur atë, punojmë shumë për t’a parë të përmbushur në jetët tona.Jam i bindur se ky mundim për gjetur vullnetin e Perëndisë – për të jetuar në të, për ecur në të dhe për t’a parë atë të përmbushur – mund të shndërrohet në betejën tonë më të madhe. Dhe kjo betejë bëhet akoma edhe më e fortë veçanërisht kur gjendemi në situata të vështira.

Shumë të krishterë thjesht nuk mund të pranojnë gjendjen në të cilën ata ndodhen momentalisht. Jetët e tyre janë të rënduara nga probleme serioze. Për disa, problemi serioz mund të jetë një sëmundje e pashërueshme. Për disa të tjerë, një person i dashur por i pashpëtuar. Dhe për një numër gjithnjë në rritje, problemi serioz në këto momente mund jetë kriza financiare. Vetëm një numër i vogël të krishterësh pranojnë që barra të cilën atyre iu duhet të përballojnë për momentin mund të jetë pjesë e vullnetit të përsosur të Perëndisë për jetët e tyre.

Pak kohë më parë, disa njerëz më shkruan për të më pyetur se pse predikoj kaq shumë rreth shqetësimeve dhe dhimbjeve të atyre që janë pjesë e trupit të Krishtit. Dikush mund të kuptojë që autorët e këtyre letrave nuk janë nga ata që kanë nevojë për një fjalë shëruese nga Zoti.

Megjithatë e vërteta është që një numër i madh fëmijësh të Perëndisë sot po përballen me kohë të vështira. Dhe ata janë të shokuar pasi nuk arrijnë dot të perceptojnë se pse Zoti po lejon që të tilla kohë të vështira të vazhdojnë. Shumë prej këtyre shenjtorëve e shtojnë edhe më tej agoninë e tyre duke bindur vetveten se me siguri duhet të kenë bërë diçka e cila i ka ndarë ata nga vullneti i Perëndisë.

Askush prej atyre që janë gjallë sot nuk dyshon se vështirësitë dhe rreziqet me të cilat po përballemi sot nuk janë parë apo përjetuar më parë mbi tokë. Si të krishterë, ne besojmë se në kohë të tilla të vështira kisha e Jezus Krishtit ngrihet në lartësinë e saj. Ne shpallim se jetët tona duhet të jenë fanar shprese në mes të vështirësive të mëdha, duke provuar aftësinë e Krishtit për t’u kujdesur për njerëzit e tij në çdo situatë, dhe duke inkurajuar njëri-tjetrin për të besuar, shpresuar dhe për t’u mbajtur fort tek premtimet e Perëndisë.

Sa për veten time, kam shpallur mesazhin dhe predikim pas predikimi kam inkurajuar besimin dhe qendrueshmërinë në mes të kohërave sprovuese. Kam paralajmëruar gjithashtu në lidhje me pasojat e mosbesimit gjatë këtyre kohërave. Shumë të krishterë janë përgjigjur duke shkruar se janë ndihmuar dhe inkurajuar në besimin e tyre.

Si një predikues i ungjillit, e di se një besim dhe shpresë e qendrueshme duhet të kenë një të vërtetë themelore mbi të cilën të rriten. Por kush është kjo e vërtetë themelore? Thjesht kjo: Unë duhet të besoj se jam në vullnetin e përsosur të Perëndisë – në këtë moment, këtu ku ndodhem, pikërisht në këtë kohë dhe në këtë vend.

E thënë thjesht, nuk ka rëndësi gjendja në të cilën ndodhem – nëse po vuaj apo po shijoj rrezet e diellit, nëse jam i varfër apo i pasur, i shëndetshëm apo i sëmurë, i burgosur apo i lirë – unë duhet të besoj se gjendem në qendër të vullnetit të përsosur të Perëndisë për jetën time. Unë pranoj që hapat e mia janë drejtuar për Perëndinë.

Falenderoj Perëndinë për shembullin e Palit. Ky apostull besnik dinte si të tepronte në bekime, por ishte gjithashtu në gjendje të gëzonte në kohë të rrezikshme. Pavarësisht situatës së tij të jashtme, pavarësisht se sa e vështirë ishte situata e tij, Pali gjithnjë e dinte se ishte në qendër të vullnetit të përsosur të Perëndisë.

Pali shkruajti shumë prej letrave të tij drejtuar kishave ndërsa ishte i mbyllur në burgje të mbipopulluara, i lidhur, i përbuzur, i ndarë nga besimtarët dhe nga çdo lloj shërbese tjetër. Kushtet e jetës së tij ishin të dhimbshme. Megjithatë, Pali asnjëherë nuk u shpreh se ishte i burgosur i rrethanave në të cilat ndodhej. Përkundrazi, ai e quajti veten “i burgosuri i Krishtit”.

Në letrën e tij drejtuar Kolosianëve, Pali shprehu dëshirën e tij për të gjithë shenjtorët të cilët vuajnë:

“[...] që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mençuri frymërore; që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë; duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim.” (Kolosianëve 1:9–11 )

E mahnitshme është që Pali i shkruajti këto fjalë shprese dhe inkurajimi kur ishte ende i burgosur. Në fakt, këto fjalë ishin produkt i burgosjes më të gjatë të tij, ndoshta në Cezare. Kur Pali i shkruajti këto fjalë, ai nuk kishte asnjë shpresë se mund të lirohej. Ai mendonte se mund të qendronte atje për shumë vjet, ndoshta për të gjitha ditët e jetës së tij.

Në asnjë moment në letrën e tij nuk lexojmë që Pali vuri në pikëpyetje veprimet e Zotit. Apostulli kishte hyrë në një kuptim shpirtëror të vullnetit të Perëndisë. Ai kishte pranuar rrethanat e tij si vullnetin e Zotir për jetën e tij në atë moment. Për këtë arsye Pali iu shkruajti triumfalisht duke iu thënë: “Oh, sikur edhe ju të arrinit kuptimin e plotë frymëror të vullnetit të Perëndisë për ju.”

A mund ta imagjinosh dot? Pali ndodhej në robëri ekstreme, pa asnjë lloj lirie. Megjithatë ai foli për “të ecurit denjësisht për Zotin...në një mënyrë që i pëlqen Zotit, duke dhënë fryt në çdo vepër të mirë, dhe duke u rritur në njohurinë për Zotin.”

Shumë prej atyre që e njihnin Palin në atë kohë ndjenin mëshirë për të. Ata mendonin se ai nuk ishte më i dobishëm për Zotin, i ndaluar për të bërë punën e Perëndisë në ditët e tij më të mira, i pafuqishëm për të bërë ndonjë gjë për çuar përpara mbretërinë e Perëndisë. Por në të vërtetë, Pali po rritej në njohurinë e frymërore, në jetë dhe në të vërtetën.

Pak kohë më parë, një i krishterë i ri i mrekullueshëm më hapi zemrën e tij duke më thënë: “Ndjej një thirrje nga Zoti për punuar me të rinjtë dhe fëmijët. Por të gjitha dyert për të mundësuar këtë shërbesë po më mbyllen. Lutem që të tjera dyer të hapen, por Zoti nuk po e dëgjon thirrjen time. Ndjehem kaq i padobishëm, i mbyllur brenda rrethanave të mia.

E vetmja shërbesë që po bëj momentalisht është vetëm një herë në javë. Po ndihmoj në një fushatë ungjillizimi në një prej zonave tona më të vështira. Po shërbej si vëlla i madh i djalit të një prej predikuesve tanë pasi babai i tij është shumë i sëmurë. Por kjo është gjithçka po bëj. Besoj se Perëndia ka më shumë se kaq për mua.”

Kur e dëgjova këtë, i thashë këtij të riu: “Dua që të kuptosh diçka. Ajo çfarë ti po bën për momentin është më e çmuar për Perëndinë sesa po të ishe duke iu predikuar mijëra vetëve në një stadium. Të qenit i dobishëm për Të nuk ka fare të bëjë me numrat.

“Ti po bën pjesën tënde për të shpëtuar djalin e atij pastori. Shko dhe ji mik me ata pak fëmijë të varfër që Perëndia të ka dhënë. Ji i kënaqur për atë çfarë po bën në këtë moment dhe në atë vend dhe kupto që je duke jetuar vullnetin e përsosur të Perëndisë sepse ti po je besnik në gjëra të vogla.”

Më thuaj o vëlla i krishterë: A je pajtuar me situatën tënde në të cilën ndodhesh? A beson se Perëndia po bën punën e tij të përsosur në ty përmes çdo situate? Nëse nuk mund t’a besosh, atëherë nuk do të gjesh prehje, shprese dhe madje mund të inatosesh me Perëndinë. Do të hidhërohesh dhe zemra jote do të ngurtësohet.

Pjetri shkruan: “Prandaj edhe ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le t’i besojnë shpirtrat e vet atij, si te Krijuesi besnik, duke bërë të mirën. (1 Pjetri 4:19). Në të njëjtën mënyrë Pali udhëzon: “Për çdo gjë falenderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju”. (1 Thesalonikasve 5:18).

Pali shkruan: “Ne jemi të shtrënguar në çdo mënyrë...ndërdyshas....të përndjekur....të rrëzuar, megjithatë nuk jemi të ngushtuar deri në fund, nuk jemi të dëshpëruar, nuk jemi të shkatërruar.” (2 Korintasve 4:8-9).

“Të shtrënguar në çdo mënyrë” – a identifikohesh me këto fjalë? Mund të jetë ajo çfarë ti po përjeton momentalisht në jetën tënde. Ndoshta po vuan fizikisht, ke probleme në martesë, probleme financiare, shqetësime për fëmijët e tu. Jeta shpeshherë mund të shndërrohet në një barrë të papërballueshme.

Fakt është që mund të jesh në vullnetin e përsosur të Perëndisë dhe megjithatë të jesh i rrëzuar dhe i hedhur tutje. Mund të jemi duke ecur qendër të vullnetit të Perëndisë dhe megjithatë të jemi ndërdyshas, të shqetësuar, të përndjekur.

Disa të krishterë kanë qenë shtrënguar në çdo mënyrë për një kohë aq të gjatë sa fillojnë të mendojnë se “Ky nuk mund të jetë Perëndia. Është shumë e vështirë të duroj më gjatë. Vuajtjet e mia dhe provat nëpër të cilat po kaloj kanë zgjatur shumë. Ndjehem plotësisht i braktisur. Zoti me siguri po më qorton për mëkatet e mia në të shkuarën. Nuk mund të ketë shpjegim tjetër.”

Pali na shfaq para syve tre të vërteta pas të cilave ai u mbajt fort për të mos rënë në dëshpërim:

Kjo është e vërtëta që Pali po deklaron:

“Është e vërtetë që gjithë këto mundime dhe sprova kanë rrënuar trupin tim të jashtëm. Mishi im në fakt po plaket dhe rrënohet, por në të njëjtën kohë diçka e mrekullueshme po ndodh me shpirtin tim. Të gjithë këto gjëra po bashkëpunojnë për të mirën time. Unë po rritem në njohurinë time në Zotin dhe në të gjitha rrugët e tij.”

Pali ishte i vetëdijshëm se po jetonte në vullnetin e përsosur të Perëndisë. Ai kuptoi që gjithë ato vuajtje nuk po ndodhnin për shkak se ai po qortohej nga Perëndia. Përkundrazi, Pali e dinte më mirë se kurrë se Perëndia e donte në një mënyrë të mrekullueshme.

E thënë shkurt, Pali ishte pajtuar me situatën e tij aktuale dhe në atë situatë ai po mësonte të ishte i duruar: “Sepse ju keni nevojë për ngulm që mbasi të bëni vullnetin e Perëndisë të merrni gjërat e premtuara.” (Hebrenjve 10:36).

Përpiquni të kuptoni fjalët e Palit:

“Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme (përjetshme) lavdie; ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.” (2 Korintasve 4:17–18).

Pali është duke na thënë: “Mos i mbani sytë tek shqetësimet. Mos u përqendroni në gjërat që po vijnë mbi tokë. Ato të gjitha kanë për të kaluar. Problemet dhe shqetësimet tuaja nuk janë asgjë para dritës së lavdisë së përjetshme që i pret njerëzit e Perëndisë. Vetëm për një moment në parajsë, dhe nuk keni për të kujtuar më asnjë nga vuajtjet tuaja.”

Për Krishtin u shkruan këto fjalë: “Ai duroi kryqin duke përçmuar fyerjen .... për gëzimin që ndodhej para tij” (Hebrenjve 12:2). Vetë Jezusi tha: “Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër” (Lluka 21:28).

Pali po flet këtu për një shfaqje të lavdishme të njohurisë së lavdisë së Krishtit e cila vjen tek ne në kohë sprovash.

“Sepse Perëndia që tha: “Le të ndriçojë drita në errësirë” është i njëjti që shkëlqeu në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit” (2 Korinstasve 4:6). Pali po përshkruan këtu asgjë më pak se sa një zbulesë të re të lavdisë së Perëndisë në personin e Krishtit.

Kur Pali mori këtë zbulesë ai ndodhej akoma në burg dhe pa asnjë monedhë në xhep. Megjithatë jeta e tij ndryshoi. Megjithëse ai mbijetonte me ushqimin e keq të burgut, ai u ripërtëri nga zbulesa e freskët e lavdisë së Krishtit të cilën ai merrte çdo ditë.

Pali nuk e akuzoi Perëndinë se pse ai po e qortone gjatë kësaj kohe. Pali nuk vuri asnjëherë në dyshim vullnetin e Perëndisë. Pse? Qielli ishte hapur para tij. Dhe ndërsa Pali sodiste lavdinë e Krishtit, ai po ndryshohej dita ditës nga ajo çfarë ai shihte, “nga lavdia në lavdi” (2 Korintasve 3:18).

Thjesht mendimi i lavdisë së Krishtit është pothuajse i papërballueshëm. Lavdia e Krishtit është përshkruar si pushteti dhe madhështia e Zotit, autoriteti dhe shkëlqimi i tij, i madhi UNË JAM. Problemi është se unë nuk jam një gjendje të perceptoj asnjë prej këtyrë gjërave. Mendja ime njerëzore thjesht nuk është në gjendje të perceptojë një madhështi të tillë.

Gjatë javëve të kaluara i kam kërkuar Zotit që të mbajë zemrën time të “ankoruar” tek ai gjatë këtyre kohëve me dallgë të këqija. Kam kërkuar nga Ai për një fjalë që të më japë paqe në mes të këtyre kohëve me lajme që të bëjnë të ndjehesh nervoz.

Dhe kam dëgjuar Frymën e Shenjtë tek pëshpëriste: “David, vështro lavdinë e Krishtit. Ajo lavdi do të të mbajë të ankoruar në paqe.

U luta “Faleminderit Zot”. “Por çfarë është në të vërtetë lavdia e Krishtit?”

Për mua, lavdia e tij do të thotë diçka për të cilën unë kam nevojë dhe të cilën unë e kuptoj: mirësi me dashuri. Kjo është më tepër sesa thjesht mirësia e Krishtit. Është mirësia e Tij me dashuri – është mirësia e tij e butë me dashuri. Kjo mund të jetë njëra nga anët e lavdisë së tij. Por është ajo se si kemi ne nevojë ta shohim Krishtin – shëmbëlltyra e përsosur e Atit qiellor, i cili është i përkujdesshëm, i butë, i dashur, i mirë ndaj fëmijëve të Tij.

Ky shërbëtor i vuajtur i Perëndisë zgjohej shpesh me një zemër thellësisht të shqetësuar. Shpeshherë ai ndjehej i rrëzuar dhe ndërdyshas, por megjithatë Pali detyroi frymën e tij për të vështruar lart dhe për të soditur lavdinë e Krishtit – mëshirën dhe mirësinë me dashuri të personit të Krishtit. Dhe ndërsa Pali bënte këtë gjë, Fryma e Shenjtë e ripërtërinte me forca të reja për përballuar ditët që pasonin.

Jeremia shkruante në profecinë e tij: “Por kush lavdërohet, të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua, që jam Zoti, që bëj mirësinë, ushtroj të drejtën dhe drejtësinë mbi tokë, sepse kënaqem me këto gjëra” (Jeremia 9:24).

Vini re gjënë e parë në listën e gjërave që kënaqin Perëndinë: mirësinë. Mesazhi i tij për ne është i qartë: Ne jemi thirrur për lavdi në mirësinë e tij.

Davidi dëshmoi tek Psalmet: “[....] të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua. Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë së jetës sime. (Psalmi 42:7–8).

Kjo lavdi e Krishtit – kjo butësi, mirësi me dashuri që shkëlqen në zemrat tona ndërsa lutemi dhe kërkojmë Fjalën e Tij – na ndryshon “nga lavdia në lavdi”, në shëmbëlltyrën e Krishtit, dhe zbulesa e dashurisë, e mëshirës dhe e kujdesit që ne kemi marrë nga ai duhet të rrezatojë jashtë nesh tek të tjerët.

Kjo zbulesë rritet çdo ditë brenda nesh “nëpërmjet Frymës së Zotit”. Në të vërtetë, është Fryma e Shenjtë e cila na drejton tek lavdia e Krishtit. Është Fryma e cila shkëlqen brenda ndesh dhe e cila na ndryshon përmes çdo rrethane. Së fundmi, ai na tregon se si mund të rrezatojmë mirësinë e tij më dashuri dhe përkujdesje tek të tjerët.

Tani po të pyes ty: Çfarë po shkaktojnë tek ti dhe brenda teje rrethanat të cilat ndodhesh momentalisht? A po rrezaton tek ti ëmbëlsia e Krishtit? A i kërkon Frymës së Shenjtë që të të japë sy për të parë dhimbjen dhe nevojat e të tjerëve? Ky është ndryshimi që Pali thotë se do të ndodhë brenda nesh nëpërmjet Frymës së Shenjtë.

Vetëm ata që janë të pajtuar me faktin që ndodhen në vullentin e përsosur të Perëndisë mund të besojnë se “të gjitha gjërat bashkëpunojnë për të mirën” edhe në situatat më të vështira. Kështu i dashur shenjtor, ngrije kokën lart dhe dëshmoi vetes tënde, qiellit dhe rrethanave në të cilat ndodhesh: “Unë po jetoj në vullnetin e përsosur të Perëndisë, pavarësisht se çfarë mund të ndodhë.” Amen!

Copyright/Reproduction Limitations: This data file/publication is the sole property of World Challenge, Inc. It may be printed in its entirety for the reader's personal use or to pass on to family and friends. It may not be altered or edited in any way and all reproductions of this data file/publication must contain this copyright notice. This material is not to be posted or transmitted publicly/electronically on any Web site, Web page or FTP site other than: worldchallenge.org, davidwilkerson.org or tscpulpitseries.org

© 2009 World Challenge, Inc., PO Box 260, Lindale, Texas 75771


  Back to Top